Në datën 17.03.2022 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë Dhe Bashkisë Tiranë, “Për sigurimin e kuadrit infrastrukturor dhe institucional për zbatimin e masave të shmangies nga ndjekja penale për të miturit në konflikt me ligjin”.
1. Qëllimi i marrëveshjes konsiston në bashkëpunimin për zbatimin e masave të shmangies për të miturit në konflikt me ligjin nëpërmjet:
a) ofrimin e tërësisë së shërbimeve sociale për të miturit tek qendrat komunitare në varësi të Bashkisë Tiranë nëpërmjet:
i. organizimit dhe pjesëmarrjes së punonjësve të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve, pranë Njësive Administrative dhe Shërbimit të Provës në trajnime të përbashkëta me qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të strukturave të shërbimeve mbështetëse;
ii. lehtësimit të ofrimit të ndihmës dhe mbështetjes për të miturit në konflikt me ligjin dhe familjes së tij, kur kjo kërkohet prej tyre, në zbatim të procedurave të menaxhimit të rastit sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e fëmijëve;
iii. promovimit të modelit të drejtësisë miqësore me të miturit në konflikt me ligjin duke organizuar në ambientet e qendrës aktivitete sensibilizuese, edukative, argëtuese dhe aktivitete të tjera në përshtatje me nevojat e të miturit.