Historiku

Sistemi i drejtësisë penale në Shqipëri është i bazuar kryesisht te aplikimi i dënimit me burgim, me një numër të pakët alternativash të tjera dënimi. Modeli i dënimeve ka tendencë drejt burgimit, me masa të gjata të këtij dënimit, dhe ku mbipopullimi është një problem serioz. Duke ndjekur rekomandimet që theksohen në një sërë instrumentesh ndërkombëtarë, autoritetet shqiptare kanë treguar angazhimin e tyre drejt krijimit të mundësive për një zbatim në rritje të alternativave të dënimit me burgim, me qëllim që të reduktohet mbipopullimi në burgje, kostot dhe efektet negative të burgimit të panevojshëm.

Në 27 nëntor 2008 u miratua baza ligjore që mundësoi krijimin e shërbimit të provës në Shqipëri. Krijimi i shërbimit të provës, i cili mund të përgatisë raporte dhe të ofrojë mbikëqyrje të planifikuar në komunitet, është një hap përpara në reformën e sistemit të drejtësisë penale. Ka shumë gjasa që funksionimi i këtij shërbimi të ri, të inkurajojë gjyqtarët për të dhënë më shumë dënime alternative.

Që prej vitit 1995 kur hyri në fuqi, Kodi Penal ka ndryshuar vazhdimisht, por në ndryshimet e fundit të bëra me ligjin nr. 10023, datë 27.11.2008 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995 ‘Kodi Penal i Republikëssë Shqipërisë’”, të ndryshuar, krahas dispozitave të tjera ndryshuan dhe u përmirësuan dispozitat që lidhen me Kreun VII të këtij kodi me titull “Alternativat e dënimit me burgim” si dhe në ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Ndryshimet e reja ligjore japin më shumë hapësirë për zbatimin në praktikë të alternativave të dënimit me burgim. Duhet theksuar se këto alternativa të dënimit aplikohen ndaj personit vetëm në rast se gjykata e ka dhënë më parë dënimin për të, i cili duhet patjetër të jetë me burgim deri në një masë të caktuar

Në ndryshimet në ligjin “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, siç e përmendëm, krijohet për herë të parë Shërbimi i Provës (Kreu II/1 i ligjit), i cili do të merret me ekzekutimin e alternativave të dënimit me burgim të parashikuara nga Kodi Penal. Shërbimi i provës është organi shtetëror që paraqet informacion para autoriteteve gjyqësore, mbikëqyr ekzekutimin e dënimit alternativ dhe ndihmon personin e dënuar në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin social. Shërbimi i provës është strukturë e Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtohet nga Drejtori i shërbimit të provës. Shërbimi i Provës organizohet në nivel qendror dhe vendor. Drejtoria e shërbimit të provës në Ministrinë e Drejtësisë përbën nivelin qendror ndërsa zyrat vendore të shërbimit të provës veprojnë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore.

Vitet e fundit shërbimi i provës është vënë në qendër të vëmendjes të politikës dhe si rrjedhojë ndikohet më tepër nga ndryshimet e politikave dhe ideologjive politike.

Në vitin 2020 kanë pësuar ndryshime thelbësore legjislacioni mbi bazën e të cilit ushtron veprimtarinë Shërbimi i Provës.

Është miratuar ligji i ri nr.79/2020 “Për Ekzekutimin e Vendimeve Penale, i cil ka shfuqizuar ligjin nr. 8331, datë 21.4.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”.

Është Miratuar Ligji nr.78/2020 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimit të Provës” i cili ka shfuqizuar Vendimi nr.302, datë 25.3.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin e funksionimin e Shërbimit të Provës dhe për përcaktimin e standardeve e të procedurave për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative”

Në zbatim të këtij ligji janë nxjerr një sër aktesh të tjera nën ligjore. Është miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.421, datë 08.07.2021 “Rregullorja e përgjithshme për Organizmin dhe Funksionimin e Shërbimit të Provës”

Janë miratur me Urdhër të Ministrit të Drejtësisë

Urdhër nr.456, datë 31.12.2020 i Ministrit të Drejtësisë, “Për miratimin e formatit, përmbajtjes, mënyrës së krijimit dhe administrimit të rregjistrave të shërbimit të provës;
Urdhër nr. 455, datë 31.12.2020 i Ministrit të Drejtësisë, “Për miratimin e modelit të Planit Invidivual të Trajnimit”;
Urdhër nr. 454, datë 31.12.2020 i Ministrit të Drejtësisë, “Për miratimin e modelit të raportit të vleresimit për mospërmbushje të masës alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturit në konflikt me ligjin”;
Urdhër nr. 453, datë 31.12.2020 i Ministrit të Drejtësisë, “Për miratimin e modelit të raportit të vleresimit për të miturit në konflikt më ligjin, persona nën hetim, të pandehurin, personin nën mbikëqyrje dhe raportin periodik të vlerësimit”;
Urdhër nr.452, datë 31.12.2020 I Ministrit të Drejtësisë, “Për miratimin e Rregullores se Brendshme të Shërbimit të Provës.