Marrëveshjet e bashkëpunimit

Marrëveshje bashkëpunimin mes Shërbimit të Provës dhe Terre des Hommes 

Bashkëpunimi i Shërbimit të Provës me Terre des Hommes ka nisur në vitin 2019 në Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Tiranë. Projekti kishte synim ndihmën e të miturve në konflikt me ligjin në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, nëpërmjet ndihmës në punësim dhe gjetjen e kurseve të formimit profesional. Bashkëpunimi mes Shërbimit të Provës dhe Terre des Hommes u miratua nga Ministria e Drejtësisë pas shqyrtimit të draft-marrëveshjeve fillestare. Në periudhën 2019-2020 u referuan dhe ndihmuan 17 të mitur nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës në Tiranë për punësim, ndihmë për kurse profesionale por edhe me shërbime të tjera psikosociale sipas rasteve dhe nevojave të tyre.

Gjithashtu, në muajin tetor 2019, me mundësimin e Terre des Hommes, u zhvillua një vizitë studimore në Republikën e Kosovës, konkretisht në Ministrinë e Drejtësisë në Prishtinë me homologët e Shërbimit Sprovues të Kosovës, në institutin korrektues/edukues të të miturve në Lipjan, si dhe në Prizren me përfaqësues nga shërbimet sociale të komunës së Prizrenit. Në vizitë morën pjesë përfaqësues të Shërbimit të Provës, shërbimeve sociale të bashkisë Tiranë, Ministrisë së Drejtësisë dhe të Terre des Hommes.

Bazuar në këtë fazë të suksesshme të projektit, marrëveshja e bashkëpunimit mes Shërbimit të Provës, Terre des Hommes dhe pushtetit vendor është shtrirë deri në vitin 2022 në Degët Territoriale Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Durrës, duke synuar ndihmën e më shumë të miturve në konflikt me ligjin të cilët mbikëqyren nga Shërbimi i Provës nëpërmjet shërbimeve psikologjike, sociale, komunitare dhe ekonomike që ofron Terre des Hommes. Gjithashtu, ky bashkëpunim synon ngritjen e kapaciteteve të punonjësve të terrenit si dhe ngritjen e modeleve të riintegrimit të të miturve, me qëllim rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Nga Dega Territoriale Korçë janë referuar dhe ndihmuar 5 të mitur nën mbikëqyrjen e kësaj dege. Një prej tyre është trajtuar me ndihmë ekonomike me vlerë mbi 85.000 lekë për orendi të nevojshme shtëpiake pasi u vlerësua në kushte të vështira të banesës. Dy të mitur janë ndihmuar me punësim dhe dy të mitur të tjerë janë ndihmuar me kurse të formimit profesional.

Nga Dega Territoriale Shkodër është referuar 1 i mitur dhe është ndihmuar me mundësi punësimi.

Nga Dega Territoriale Durrës është referuar 1 i mitur

Nga Dega Territoriale Tiranë janë referuar 17 të mitur.

Nga Dega Territoriale Vlorë nuk është referuar asnjë rast për shkak se specialistja referon se asnjë i mitur nuk ka qenë dakord për t’u ndihmuar dhe trajtuar nga Terre des Hommes.

Në muajin nëntor 2021 u zhvillua një trajnim me temë “Puna për riintegrimin e të miturit në konflikt me ligjin”. Në trajnim morën pjesë përfaqësuesit e Shërbimit të Provës si dhe punonjës të strukturave vendore të shërbimeve sociale për të miturit në bashkitë ku shtrihet projekti. Në trajnim u diskutuan tematika të ndryshme, duke nisur me bazën ligjore, rolin e Shërbimit të Provës dhe Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në fazat e procedimit penal, puna me rehabilitimin dhe riintegrimin e të miturve në konflikt me ligjin, si dhe diskutime të rasteve praktike që kanë trajtuar specialistët e Shërbimit të Provës, Punonjësit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe vetë organizata Terre des Hommes.

Bashkëpunimi me Terre des Hommes gjatë këtyre viteve ka qenë mjaft pozitiv, duke ndihmuar një numër të konsiderueshëm të miturish në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri pas kryerjes së një vepre penale, nëpërmjet një lloje ndihme mjaft të vlefshme siç është ndihma për përfitimin e një formimi profesional dhe ndërmjetësimi me bzineset për të punësuar këta të mitur.