Mbikëqyrja Elektronike

Çfarë është Mbikëqyrja Elektronike

Mbikëqyrja Elektronike eshte një nga reformat e realizuara në sistemin e drejtësisë penale shqiptare dhe ka filluar funksionimin në Mars të vitit 2013. Institucioni realizues i mbikëqyrjes elektronike është Shërbimi i Provës. Mbikëqyrja elektronike përdoret për personat të cilët janë subjekt i :

  • Masave shtrënguese (Kodi Procedurës Penale, pikat a, c dhe d),
  • Dënimeve alternative (Kodi Penal, neni 58, 59, 59/a dhe 64)
  • Dënimeve plotësuese (Kodi Penal, paragrafi 7 i nenit 30)
  • Urdhrave të mbrojtjes ose urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes (ligj nr.9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar., neni 17 dhe 19)

Kufizimet e përcaktuara në vendimin gjyqësor, mbikëqyren nëpërmjet pajisjes e cila vendoset në trupin e personit nëpërmjet sallës operative ngritur për këtë qëllim. Pajisja i komunikon sallës operative daljen nga zona e lejuar apo hyrjen në zonën e ndaluar duke tregu.

Kush mund të mbikëqyret elektronikisht?

Gjykata ose prokuroria kërkojnë zbatimin e mbikëqyrjes elektronike për persona të mitur apo të rritur të cilët paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe personat të cilët akuzohen për një vepër penale që dënohet jo më shumë se me 5 vjet burgim. Personi duhet të japë pëlqimin për t’u vënë në mbikëqyrje elektronike përveç se në rastet kur parashikohet në ligj. Aktorët e rëndësishëm të këtij procesi janë Gjykata, Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Shërbimi i Provës.

Si funksionon?

Mbikëqyrja elektronike funksionon nëpërmjet një byzylyku elektronik (njësia personale) dhe një njësie qendrore (njësia e shtëpisë).

Byzylyku vendoset mbi kyçin e këmbës së personit dhe mbahet nga personi në çdo moment. Ai ka peshë të lehtë, është rezistent ndaj goditjeve dhe ujit gjë që bën të mundur vazhdimin e aktiviteteve normale të përditshme pa u penguar nga pajisja.

Njësia qendrore (njësia e shtëpisë), vendoset në shtëpinë e personit dhe merr sinjale në çdo kohë nga byzylyku elektronik, informacion i cili përçohet drejt salles operative nga ku bëhet mbikëqyrja elektronike. Nëse personi largohet nga zona e lejuar, komunikimi mes këtyre dy pajisjeve shkëputet. Në këtë moment, sinjalizohet salla operative për ndodhinë. Procesi i anasjelltë vlen për hyrjen në zonën e ndaluar. Sinjale të tjera që i dërgohen sallës operative sipas rastit janë ato kur pajisja dëmtohet, tentohet të hiqet, lëvizet, apo nëse nuk është e lidhur me energjinë elektrike.

Çfarë ndodh nëse shkelen kushtet?

Në momentin kur kryhet një shkelje e përcaktimeve të vendimit gjyqësor, salla operative konfirmon ndodhinë dhe informon autoritetet përkatëse. Shkelja e detyrimeve, nëse e qëllimshme apo e përsëritur, mund të çojë personin para gjykatës dhe mund të rezultojë në zëvëndësimin apo revokimin e mbikëqyrjes elektronike.

Cila është dobia?

Mbikëqyrja Elektronike ofron një sistem të fuqishëm për përforcimin e efikasitetit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore për personat të cilëve iu është kufizuar lëvizja dhe mund të promovojë rritjen e sigurisë publike duke përmirësuar mbikëqyrjen e individëve në komunitet. Kufizimi i lëvizjes gjithashtu mund të ndihmojë në imponimin e një disipline dhe strukture ditore per per te mbikeqyrurit; të ndikojë në thyerjen e trajtave të sjelljes kriminale dhe mund të aftësojë pjesëmarrjen në aktivitete pune, arsimimi apo trajnimi.