Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës përfaqësuar nga drejtori i Përgjithshëm Ervin Hoxha dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit për zbatimin e dënimit alternativ “kryerja e një pune në interes publik”. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dakordësuan që kjo është mënyra më e mirë për t’i riintegruar personat me këtë dënim, duke i shërbyer komunitetit në veçanti gjatë sezonit turistik.

Për ministrin e Drejtësisë, z. Ulsi Manja është shumë e rëndësishme që këta persona t’i rikthehen shoqërisë, por edhe t’ia shlyejnë me punë dëmin e shkaktuar.

“Filozofia jonë është që dënimi të jetë mjeti i fundit. Për këtë kategori veprash, personat që shkelin ligjin për një arsye ose për një tjetër, sepse jeta ka sfida nga më të ndryshmet, së pari t’i rifitojmë këta njerëz, t’i rikthejmë në shoqëri por edhe t’ia shlyejnë shoqërisë me punë atë dëm që i kanë shkaktuar përmes veprës penale”, u shpreh ministri Manja.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit znj. Mirela Kumbaro theksoi se gjatë sezonit veror, për shkak të mbipopullimit të disa territoreve të bregdetit dhe parqeve natyrore, ndihma e kësaj kategorie do të ishte shumë e dobishme.

“Ne kemi nevojë për rojtarë pylli sidomos, në sezonin e verës kur shtohen vizitorët në parqet kombëtare. Duhet kuptuar se bëhet fjalë për një kategori që nuk ka kryer dëme ose krime të asaj shkalle që mund të përbëjnë rrezik social. Këta njerëz do të punojnë në drejtoritë rajonale të zonave të mbrojtura dhe do të ndihmojnë punonjësit tanë në mirëmbajten dhe vëzhgimin e territorit”, tha Kumbaro.

Në kuadër të marrëveshjes, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, përkatësisht agjencitë në varësi; Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, do të sigurojnë vendin e punës ku do kryhet puna në interes publik, nga personat nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës, për të cilët gjykata ka vendosur si dënim alternativ “kryerjen e një pune në interes publik”.

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on pinterest

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

LAJME