Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja vizitoi drejtuesit e Shërbimit të Provës gjatë trajnimit të organizuar në kuadër të Programit Shqiptar Suedez i Drejtësisë Penale për të Mitur.
Z. Manja pasi përshëndeti ekspertët suedez dhe drejtuesit e Shërbimit të Provës, theksoi se roli i Shërbimit të Provës do të ristrukturohet në përputhje me ligjin dhe qëllimin e dënimit alternativ që është rehabilitimi dhe riintegrimi i të dënuarve në shoqëri.
Duke përmbledhur fjalën e tij më tej në një postim në rrjetet sociale z. Manja u shpreh:
“Shfrytëzova një seminar të organizuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me gjithë drejtuesit e këtij shërbimi për të bërë të qarta disa gjëra, që për mua janë të detyrueshme sipas ligjit, për këtë institucion, i cili trajton gati 10 mijë persona në gjithë vendin.
U sigurova:
1. Mbështetjen dhe përkrahjen time;
2. Trajtim të ri financiar pas miratimit të strukturës së re;
3. Nisjen e digjitalizimit të gjithë shërbimit, i cili prej vitesh funksiononte pa drejtues të emëruar e me shërbim manual. Digjitalizimi do të mundësojë luftën ndaj korrupsionit, por edhe burimin e tij.
Tërhoqa vëmendjen:
1. Për burimet njerëzore, rekrutimet, kapacitetet. Shërbimi i provës nuk është dhe nuk mund të jetë institucion bamirësie për punësime. Duhet shërbim korrekt, punë korrekte, edukatë dhe mbi të gjitha transparencë maksimale.
2. Jemi të vendosur për të ndëshkuar çdo abuzim, ngado dhe kudo të shfaqet, sidomos ato që kanë të bëjnë me trajtimin dhe sjelljen ndaj personave të dënuar me shërbim prove.
3. Mentaliteti në punë duhet të ndryshojë dhe të përshtatet me vizionin që tashmë e kemi bërë të qartë.
Së shpejti:
1. Do të nxjerr një udhëzim, i cili do të unifikojë procedurën mbi vlerësimet për personat në konflikt me ligjin dhe koordinim më të mirë mes Shërbimit të Provës, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Qendrës Për Parandalimin e Krimit tek të miturit, autoriteteve vendore, si dhe gjithë aktorëve që sipas ligjit kanë detyra në lidhje me qëllimet e dënimit penal. Çdo vlerësim paskësaj do të jetë rezultat i mbikëqyrjes në dinamikë të sjelljes së personit në IEVP, sjelljes me personelin, respektimit të rregullores së burgjeve, marrëdhëniet në familje etj.
2. Institucionet e sistemit penitenciar do të harmonizohen me njëri-tjetrin, jo njëri jep vlerësim negativ e tjetri e bën ëngjëll personin ne konflikt me ligjin.
3. Shërbimi i Provës duhet të rrisë burimet njerëzore dhe të forcojë kapacitetet profesionale, sepse duhet të përgatitet për të qenë ndihmë në çlirimin e burgjeve nga mbingarkesa, drejt masave alternative të dënimit që do të aplikojë gjykata në të ardhmen e afërt.“