Prezenca e OSBE-së në Tiranë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës organizoi në datat 4-5 dhjetor 2017 trajnimin dy ditor me temë “ Roli i alternativave të dënimit me burgim dhe Shërbimi i Provës. Risitë e Kodit Penal lidhur me alternativat e dënimit me burgim. Ligji “ Për Shërbimin e Provës” dhe dispozitat procedurale penale. Lirimi me kusht si një nga alternativat e dënimit me burgim. Praktika gjyqësore. Marrëdhëniet e Shërbimit të Provës dhe Prokurorisë”. Ekspertë të shkollës së Magjistraturës si dhe të Shërbimit të Provës diskutuan me prokurorë e gjyqtarë mbi garancitë procedurale dhe standartet europiane mbi masat alternative, mbi llojet e masave alternative të dënimit me burgim dhe rolin e detyrat e Shërbimit të Provës në procesin penal dhe në aktet procedurale. Gjyqtarë, prokurorë, punonjës të Shërbimit të Provës dhe ekspertë magjistratë diskutuan mbi zhvillimin e praktikës gjyqësore dhe problematikat e evidentuara gjatë aplikimit të dënimeve alternative.
Trajnimi pati në vëmendje përvec evidentimit të problematikave dhe sfidave lidhur me bashkëpunimin e gjyqësorit dhe prokurorisë me Shërbimin e Provës, edhe dhënien e sugjerimeve mbi praktikat më të mira në përputhje me standartet europiane të implementimit të Kodit të ri Penal dhe rritjes së aplikimit të dënimeve alternative si pjesë e qasjes së një drejtësie miqësore për shkelësit e ligjit.