Gjatë muajit gusht, për degët territoriale të Shërbimit të Provës, në Planin Vjetor të Aktiviteteve është përcaktuar si aktivitet “Takim me Zyrat e Punës”.
Në takimin e mbajtur me Përfaqësues të Zyrës së Punës Përmet në datë 16.08.2022 ora 11:30 kanë marrë pjesë Drejtori i Degës Territoriale të Shërbimit të Provës Përmet dhe punonjësit e Zyrës së Punës Përmet znj. Eftali Pashollari dhe Znj. Anxhela Dauti.
Qëllimi kryesor i takimit ishte gjetja e kanaleve bashkëpunuese midis dy institucioneve për mbështetjen dhe përfitimin e të dënuarve me dënime alternative nga programet e punësimit dhe aftësimit profesional që zyra e punës ofron.
Në hapje të takimit Drejtori i DTSHP Përmet ka bërë një prezantim të përgjithshëm të institucionit të Shërbimit të Provës, misionit, funksioneve dhe detyrave që ky institucion ka.
Në vijim punonjësit e Zyrës së Punës Përmet kanë prezantuar të gjitha programet e punësimit, vetëpunësimit, arsimimit e formimit profesional që ky institucion ofron si dhe kushtet për përfitimin nga këto programe.
Referuar Ligjit Nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”, personat që kanë vuajtur dënimin me burgim, apo ndaj të cilëve është vendosur pezullimi i vendimit me burgim dhe zëvendësimi i tij me një dënim alternativ si dhe të miturit e të rinjtë në konflikt me ligjin kategorizohen tek “Grupet e veçanta”, pra tek grupet e disavantazhuar në tregun e punës dhe për këtë është kërkuar që fokusi mbi këto kategori të jetë më i madh. Në përmbushje të misionit të shërbimit të provës, shfaqet domosdoshmëri punësimi dhe aftësimi për tregun e punës të të dënuarve me dënime alternative, për të bërë më të lehtë rrugën drejt riintegrimit të tyre në shoqëri.
Nëpërmjet këtij takimi u sigurua forcimi i bashkëpunimit midis dy institucioneve vendore për rehabilitimin e personave nën mbikqyrje, uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale në të ardhmen duke kontribuar kështu bashkarisht në mbrojtjen e interesit publik.