Në kuadër të 4 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Agresionit, u zhvillua një aktivitet ndërgjegjësues dhe informues me nxënësit e Gjimnazit “Asim Zeneli”, në Gjirokastër.
Gjatë takimit u diskutua mbi të drejtat e fëmijëve, rëndësinë e mbrojtjes së tyre nga çdo formë dhune, abuzimi dhe neglizhence, si dhe mbi pasojat që sjell agresioni në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Nxënësit u informuan gjithashtu mbi të drejtën për të kërkuar mbështetje dhe mbrojtje ligjore në rastet e cenimit të të drejtave të tyre.
Përdorimi i platformës juristionline. https://www.juristionline.al
Në kuadër të informimit juridik, u prezantuan shërbimet e ndihmës juridike falas, institucionet ku mund të drejtohen fëmijët dhe familjet e tyre, si dhe mekanizmat e raportimit të rasteve të dhunës dhe abuzimit. Nxënësit morën pjesë aktivisht në diskutime, duke ngritur pyetje dhe duke ndarë mendime mbi rëndësinë e respektimit të të drejtave të fëmijëve.
Aktiviteti synoi të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për aksesin në drejtësi, duke përcjellë mesazhin se çdo fëmijë meriton të jetojë në një mjedis të sigurt, të mbrojtur dhe pa dhunë.
Ky aktivitet u organizua nga Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Gjirokastër, në bashkëpunim me Zyrën Përmbarimore Gjirokastër si dhe Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Gjirokastër.
Falenderojmë përfaqësuesit e ZVA GJ-L për mundësimin e zhvillimit të këtij aktiviteti si dhe përfaqësuesit, mësues e nxënës të Gjimnazit “Asim Zeneli”, Gjirokastër.

