U zhvillua në Tiranë dhe në Durrës Seminari ndër-institucional “Zbatimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur 2018-2022 – përmirësime dhe sfidat e ardhshme” në datat 19 dhe 20 maj.
Ky seminar u zhvillua në kuadër të programit Shqiptar-Suedez të Drejtësisë Penale për të Miturit “Forcimi i kapaciteteve të agjencive ligj-zbatuese dhe gjykatave shqiptare për të përmbushur standardet e të drejtave të njeriut në fushën e drejtësisë penale për të miturit- një qasje gjithëpërfshirëse e zinxhirit të drejtësisë”. Programi është duke u zbatuar gjatë periudhës 2017-2022 nga Policia Suedeze, Autoriteti Suedez i Prokurorisë,
Administrata e Gjykatave Suedeze dhe Shërbimi Suedez i Burgjeve dhe Provës, së bashku me partnerët shqiptarë.
Qëllimi kryesor i Programit është të mbështesë fuqizimin e të gjitha agjencive dhe gjykatave shqiptare në zinxhirin e drejtësisë në kontaktet e tyre me të miturit. Programi ka mbështetur zbatimin e Kodit të ri Shqiptar për Drejtësinë Penale për të Miturit, me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare të zbatueshme dhe përmirësimin e punës së të gjitha agjencive shqiptare të përfshira, me fokus të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Në qershor 2022, Programi përfundon dhe ky seminar ndërinstitucional do të ofrojë një mundësi për të diskutuar, reflektuar dhe identifikuar së bashku mësimet e nxjerra nga rezultatet e Programit.
Në seminar morën pjesë specilastë të trajtimit të të miturve në Shërbimin e Provës, gjyqtarë, prokurorë, punonjës social të institutit të të miturve në Kavajë, si edhe punonjës të policisë.